Shpresë dhe Shërim për çrregullimet e të ngrënit
Comments Off 31

Shpresë dhe Shërim për çrregullimet e të ngrënit

Blog

nga “Ilira Revistë” © Marie Notcheva

Megjithëse nuk duhet të habitemi që përgjigjja për këto pyetje është “po”, gjëja alarmuese është se çrregullime në të ngrënët, si anoreksia dhe bulimia, po prekin edhe shumë gra të krishtera në botë. Nëse jemi çliruar nga fuqia e mëkatit, siç na thotë Bibla, pse ndodh që të krishterat të bëhen skllave të varësive? Gratë në kishë shpesh kanë turp të kërkojnë ndihmë dhe i fshehin mundimet e tyre përmes çrregullimeve në të ngrënë. Le të shohim, së pari, se çfarë janë anoreksia dhe bulimia.

Anoreksia nervoze është diagnoza klinike që u jepet individëve që e shtyjnë veten në mosushqyerje (dhe shpesh ushtrohen tej mase), në përpjekje për të mbajtur një peshë nën të shëndetshmen, që zakonisht përkufizohet si 20% më pak se mesatarja e gjatësisë së personit. Dieta ekstreme dhe frika e shtimit në peshë (bashkë me të shikuarit e vetvetes si të shëndoshë kur në fakt je nën peshë) mund të çojë në dëmtime kardiake, cikle menstruale të ndërprera, osteoporozë të parakohshme, mosfunksionim të veshkave, humbje të flokëve dhe probleme të tjera shëndetësore.

Bulimia nervoze përshkruan ciklin “mbingopje­zbrazje” të konsumimit të sasive të mëdha të ushqimit, pastaj nxjerrjen e tij me anë të vjelljes, laksativëve, diuretikëve dhe/ose ushtrimit të tepruar. Shumë bulimike kanë qenë më parë anoreksike, ose i kombinojnë dy sjelljet për të kontrolluar peshën e tyre. Pasi vështirësia e mosushqyerjes bëhet aq e madhe, sa gruaja dorëzohet, ha, për të kënaqur oreksin (që ia ka mohuar vetes për kaq shumë kohë), dhe pastaj e nxjerr ushqimin, duke e bërë këtë “mjetin e saj të sigurt”. Tani ajo ndihet plotësisht jashtë kontrollit. Bulimiket zakonisht janë të vetëdijshme për rreziqet shëndetësore, ku përfshihen çekuilibrimet elektrolite (të cilat mund të çojnë në aritminë e zemrës dhe në dëmtim të veshkave), këputje të ezofagut dhe probleme me dhëmbët.

Një tjetër pasojë afatgjatë e anoreksisë dhe bulimisë është shterpësia. Përqindja mesatare e yndyrës në trupin e një gruaje është midis 14­20%. Kur kjo bie nën 8­10%, estrogjeni nuk prodhohet më në sasi të mjaftueshme dhe ovulacioni ndalon. Shpesh, steriliteti dhe abortet spontane janë rezultat i çrregullimeve të të ngrënit. Ky është një çmim i lartë për t’u pagur vetëm për të qenë e dobët!

Çfarë i shkakton çrregullimet në të ngrënë?

Edhe pse shpesh fajësohet media për barazimin e dobësisë me bukurinë, e vërteta është se gratë e çdo epoke kanë dashur të konsiderohen tërheqëse dhe të dëshirueshme. Shqetësimin për të pasur cilësi “të përsosura” fizike Bibla e quan krenari.

Dhe ne gratë jemi famëkeqe për krahasimin e vetes me të tjerat! Ndërkohë që disa fajësojnë reklamat moderne për mesazhin që u dërgojnë grave, psikologët i etiketojnë këto çrregullime si “sëmundje mendore” dhe shumë njerëz i konsiderojnë ato si sëmundje. Megjithatë, kjo është e gabuar; nuk ka asnjëshkak organik ose gjenetik për anoreksinë dhe buliminë. Nuk mund t’ia vëmë fajin vetëm medias ose biologjisë. Çrregullimet në të ngrënë vijnë si rezultat i dëshirave idhujtare dhe zemrës së mashtruar nga mëkati (Jeremia 17:9). Ato janë sjellje të mësuara, të cilat, me hirin e Perëndisë, mund të çmësohen.

Çdo veprim dhe vendim që marrim paraprihet nga një mendim. Pastaj një mendim tjetër, dhe një tjetër pas tij. “Unë jam e shëmtuar. Duhet të bie në peshë.” Me kalimin e kohës, këto mendime bëhen meditim. Meditimi herët a vonë çon në një veprim. “Hëngra tepër… Do ta nxjerr.” Shumë shpesh gruaja në këtë fazë nuk e kupton sa serioze është në të vërtetë kjo gjë dhe se së shpejti do të gjendet në kurth. Veprimi përsëritet dhe kështu formohet zakoni. “Kjo ka shumë kalori… Nuk mund ta ha po nuk bëra një orë vrap.” Kështu kalojnë javë, muaj dhe robëria rrënjoset thellë.

Për një grua që lufton me anoreksinë dhe buliminë, pesha është bërë idhulli i saj. “Idhull” është çdo gjë që e dëshirojmë aq shumë, sa jemi të gatshëm të mëkatojmë për ta përfituar atë, është një dëshirë e tipit “do të bëja gjithçka për të; do të jem e lumtur vetëm kur ta kem”. Si anoreksia, ashtu edhe bulimia janë mënyra vetëshkatërruese për të arritur një qëllim idhujtar: të qenët më e dobët me çdo kusht. Kur kjo mendësi kontrollon një bijë të Perëndisë, ajo duhet të kujtojë pozicionin e saj në Krishtin. Besimtarja, mendja e së cilës është “në gjërat që janë atje lart” (Kolosianëve 3:2), është e fokusuar në gjërat që kanë vlerë të përjetshme dhe nuk do të bjerë pre e mendimeve jobiblike, që nxisin çrregullimet në të ngrënë. Megjithatë, i krishteri duhet të marrë shpresë kur kupton se Jezus Krishti vdiq edhe për këtë mëkat.

Fjala e Perëndisë dhe çrregullimet në të ngrënë

Kur isha fëmijë, më pëlqente shumë historia e “Rosakut të shëmtuar” nga Hans Kristian Anderseni. Ëndërroja të shndërrohesha në një mjellmë siç ndodh në fund me rosakun e shëmtuar dhe të pranohesha në nivelet e të bukurave. Në fund të shkollës së mesme, ende nuk isha shndërruar në mjellmë. Me 39 kilogramë peshë dhe në prag të vdekjes, unë isha një adoleshente në nevojë të dëshpëruar për Krishtin. Ajo që kishte nevojë për shndërrim ishte zemra ime. Apostulli Pal na thotë te Romakëve 12:2: “Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj.” Kjo do të thotë se nuk duhet të kopjojmë sjelljet, mendësitë ose përparësitë e kësaj bote (përfshirë këtu edhe vlerësimin e dobësisë dhe pamjes fizike mbi marrëdhënien tonë me Krishtin). Ne “ripërtërijmë mendjen tonë” (mësojmë të mendojmë mendimet e Perëndisë dhe të ndajmë përparësitë e Tij) teksa meditojmë mbi Fjalën e Tij.

Perëndia na ka dhënë gjithçka që na nevojitet për t’i përputhur mendimet tona me vullnetin e Tij dhe për të bërë një jetë të fuqizuar nga Fryma e Shenjtë (2 Pjetrit 1:3). Si duhet të shfaqet kjo në jetën e një gruaje, e cila dëshiron të braktisë anoreksinë ose buliminë? Së pari, ajo duhet të kuptojë të vërtetën e pozicionit të saj në Krishtin: ajo nuk është më skllave e mëkatit. Tek 1 Korintasve 6, Pali u kujton besimtarët se ata ishin ndryshuar plotësisht! Sjellja mëkatare ishte lënë në të shkuarën. E njëjta gjë është e vërtetë për një të krishterë me çrregullime në të ngrënë. Edhe pse ndonjëherë dëshira dhe nxitja mund të duken shumë të fuqishme, ajo mund të zgjedhë ta tejkalojë përgjithmonë fiksimin e saj për ushqimin dhe peshën.

A vuan nga anoreksia ose bulimia, por dëshiron të jesh e lirë? Shpëtimtari që pastroi lebrosët dëshiron të shërojë edhe zemrën tënde. Ja disa pika kyçe për të ecur në fitore, me ndihmën e Tij:

  1. Prano vullnetin e Perëndisë se sjellja me çrregullime në të ngrënë është e gabuar dhe përkushtohu për t’u larguar prej saj.
  2. Pranoje hirin e Perëndisë çdo ditë.Pavarësisht sa herë biem, hiri i Perëndisë nuk shteron kurrë. Gratë me çrregullime në të ngrënë janë përgjithësisht perfeksioniste. Kjo mendësi me synim performancën bie në kundërshtim me ungjillin, i cili kërkon që ne ta përulim veten si fëmijë (Mateu 18:4). Beso se falja e Tij është më e madhe se mëkati yt.
  3. Ripërtëri mendjen tënde.Lutu dhe lexo Biblën çdo ditë, për të zhvilluar një mënyrë të perëndishme të menduari për ushqimin, pamjen dhe bukurinë e vërtetë.
  4. Nënshtro çdo mendim për ta bërë të bindur ndaj Krishtit(2 Korintasve 10:5). Sa herë që tundohesh të mbingopesh ose ta nxjerrësh ushqimin, të krahasosh veten me një modele në kopertinën e një reviste, ose të ofendohesh nga një koment, etj., ndalo dhe rivendosi mendimet e tua në dritën e mësimeve të Krishtit.
  5. “Zhvish”sjelljet dhe mendimet e vjetra të çrregullimeve në të ngrënë.“Vish” sjelljen që nderon Perëndinë (Efesianëve 4:22­24).

Një e krishterë anoreksike ose bulimike duhet të refuzojë me ndërgjegje gënjeshtrat që ka përvetësuar dhe t’i zëvendësojë ato me të vërtetën e ungjillit. Për shembull:

Së fundmi, adhurimi dhe bashkësia e rregullt janë shumë të rëndësishme. Mos ki frikë t’ia tregosh mundimin tënd një mikeje tjetër të krishterë, që mund të të këshillojë, të të inkurajojë e të lutet me ty. Perëndia që na shfajëson nga mëkati është ende besnik ta shndërrojë jetën e bijave të Tij. Në Krishtin ka liri të vërtetë dhe të qëndrueshme nga varësitë. Anoreksia dhe bulimia janë robëri që mund të lihen te këmbët e Kryqit përgjithmonë!

Marie Notcheva është një autore dhe folëse e krishterë nga Massachusetts, ShBA. Si këshilluese biblike e certifikuar, ajo është kontribuuese e rregullt e blogut të Koalicionit të Këshillimit Biblik (The Biblical Counselling Coalition). Në vitin 2011, Calvary Press botoi librin e saj “E çliruar nga humnera: pendimi biblik dhe restaurimi nga robëria e çrregullimeve në të ngrënë.” Ajo ka vizituar dy herë Shqipërinë dhe e do shumë këtë vend. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Ivaylo, kanë 4 fëmijë.

E gjithë përmbajtja eshte e mbrojtur nga ligji mbi të drejtat e autorit.

Search

Back to Top