Teologjia e Këshillimit të Krishterë
Comments Off 97

Teologjia e Këshillimit të Krishterë

Libra

“Teologjia e Këshillimit të Krishterë: Më tepër se shpengim,” themeluesi i lëvizjes së këshillimit biblik, Dr. Jay Adams, shpalos themelet biblike për një këshillimi me të vërtetë biblik. Shumë autorë kanë shkruar libra teologjikë, shumë të tjerë kanë shkruar manuale këshillimi, por deri me daljen për botim të këtij libri, askush nuk kishte guxuar që të shkruante më parë një libër që të shpjegonte e mbronte themelin teologjik të një këshillimi me të vërtetë biblik.

Jay Adams mbron vërtetësish dhe denjësisht nga Bibla, si autoriteti absolut dhe final i këshilluesit biblik, bazat biblike të këshillimit që mund të aplikohen për një transformim të vërtetë, rrënjësor dhe përfundimtar të jetëve të atyre që marrin këshillimin biblik.

Teza e Adams është se qëllimi i të gjithë këshilluesve, qofshin ata biblik apo laikë, qëllimi është gjithnjë ndryshimi. Por ai shpjegon se të gjitha format (shkollat) e tjera të këshillimit janë në teori dhe në praktikë në kundërshtim dhe konkurrencë më Fjalën e Perëndisë. Adami dhe Eva vendosën që të mos i nënshtroheshin kësaj Fjale, dhe që nga ai moment, bota ka bërë të njëjtën gjë, duke themeluar shkolla filozofike apo praktike të mendimit, të besimit apo të këshillimit që në thelb vazhdojnë të jenë pasardhëse të mëkatit të Adamit dhe dëshirës së tij për të jetuar i pavarur nga Perëndia dhe i pa influencuar apo i pa drejtuar nga Fjala e Tij.

Si rrjedhim, në këtë libër, Dr. Jay Adams, na fton që të braktisim modelet këshilluese të Rogers dhe Frojdit të cilave u mungon si autoriteti por edhe vërtetësia e Fjalës së Perëndisë. Vetëm Fjala e Perëndisë ka autoritetin dhe fuqinë që të transformojë jetët e njerëzve. Biba është i vetmi burim që si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe indirekt, të adresojë të gjitha situatat e jetës njerëzore. Bibla është e vetmja mënyrë për të njohur vullnetin e Perëndisë. Për më tepër, argumenton qartë Adams, pa vetë personin e Perëndisë as nuk mund të pretendojmë që të bëjmë këshillim. Dhe për shkak të kësaj varësie e mbështetje në Perëndinë, lutja mund dhe duhet inkurajuar si një instrument i hirit. Këshilluesit dhe pastorët do të bënin mirë që të merrnin seriozisht dhe të kuptonin rolin e lutjes në funksion të këshillimit siç na e shtjellon Adams në këtë libër.

Kështu, pasi ka ndërtuar për ne, strukturën e duhur të Perëndisë për këshillim të suksesshëm, Jay Adams e kthen vëmendjen e tij ndaj kuptimit biblik të njeriut. Për disa kapituj me radhë, Adams shtjellon natyrën e njeriut para dhe pas rënies. Këto janë gjëra të rëndësishme, sepse këshillimi jo vetëm që ka të bëjë me mënyrën se si njeriu ndryshon, por edhe se në çfarë ndryshon. Pra Adams i jep përgjigje pyetjes, “Cili është produkti përfundimtar, imazhi përfundimtar që Perëndia ka për qëllim në transformimin tonë?” Në thelb, Adams shpjegon se si njeriu u krijua si një qenie materiale dhe shpirtërore, një qenie morale dhe sociale. Të gjitha këto luajnë një rol të rëndësishëm në të kuptuarit e natyrës së njeriut, të nevojës për ndryshim, dhe të aftësisë për të ndryshuar. Nevoja jonë për të ndryshuar buron prej faktit të korruptimit total që provohet nga faji dhe lëngimi nën peshën e fajit. Lëngimi ekziston për shkak të mëkatit, dhe mëkati është të kërkosh lumturinë i ndarë e i pavarur nga Perëndia dhe këshilla e tij për jetën tonë. Kështu mëkati është kthyer për njeriun në një zakon instiktiv dhe ka një efekt radikal në jetën tonë. Shumë shkolla konkurruese këshillimi besojnë se “nëse mendojmë mirë do të jetojmë mirë,” apo se “një mënyrë e re mendimi do të na cojë në një mënyrë të re jetimi.” Por, na instrukton me vërtetësi Adams, Bibla na paralajmëron që të mos e ndajmë mendimin nga bindja. Nëse mendja nuk i nënshtrohet kategorive dhe vullnetit të Perëndisë, edhe jeta jonë nuk do të ndryshojë. Mësimi e këshillimi nuk mund të divorcohen nga bindja ndaj Perëndisë. Më pas, Adams ofron shpresë dhe inkurajim përmes të vërtetës Biblike se “Fjala dhe Fryma na sigurojnë gjithçka që është e domosdoshme dhe e mjaftueshme për të ripërtërirë mendjen, dhe për ta aftësuar atë për të kuptuar, besuar dhe bindur.”

Çdo gjë që na duhet për një ndryshim të vërtetë e të qëndrueshëm na është siguruar përmes Fjalës dhe Frymës. Nëse Perëndia urdhëron që të ndryshojmë dhe na siguron instrumentet e ndryshimit, atëherë me të vërtetë që ekziston potenciali për të ndryshuar. Kjo do të thotë që këshillimi i vërtetë mund tu ofrohet vetëm atyre që janë të shpëtuar. Jay Adams vë në dukje se “çfarë ne kemi tani si besimtarë në shpëtim, është shumë herë më i madh se çfarë ne lamë pas në mëkat.” Prandaj edhe nëntitulli i librit është “Më Tepër se Shpengim.” Ne na ofrohet nga Perëndia shumë më tepër nga çfarë kemi pasur më parë. Kuptohet që kjo fillon me faljen, dhe Adams shpenzon mjaft kohë në konceptin e faljes. Dhe kjo është në fakt e domosdoshme kur e mendon që psikologjia laike nuk e quan më mëkatin të tillë. Kur mëkati nuk quhet mëkat, atëherë falja është e panevojshme. Por Adams insiston me forcë që mëkati duhet parë dhe titulluar ashtu siç është, sepse falja është nevoja më e madhe e njeriut.

Edhe pse përmes Krishtit ne jemi deklaruar të drejtësuar, e vërteta është se në praktikë ne nuk jemi. Kështu, Adams na ndihmon që të kuptojmë ndryshimin ndërmjet drejtësimit dhe shenjtërimit. Përmes vdekjes së Krishtit ne jemi të drejtësuar. Ky është një status i ri që na është dhënë nga Perëndia në tribunalin e tij. Ndërsa ne kerkojmë faljen përmes pendimit dhe rrëfimit besimplotë, ne shenjtërohemi. Procesi i shenjtërimit është vepra e jonë e motivuar nga hiri i Perëndisë dhe i mundësuar nga ai vetë në mënyrë aktive në jetën tonë. Jeta e re është një jetë shenjtërie që nuk fokusohet më në vetën por në perëndishmërinë-pra zhveshjen e zakoneve të mëkatshme dhe veshjen e zakoneve të drejta e shenjtëruese. Kjo është një jetë që prodhon fryte-veçanërisht frytin e Frymës. Kjo është një jetë ngulmimi që e shikon e interpreton vuajtjen dhe sfidat e kësaj jetë nga këndvështrimi i duhur.

Së fundi, Adams e mbyll librin duke shtjelluar rolin e kishës në këshillimin biblik, dhe veçanërisht rolin e pastorëve të kishave. Sepse shërbesa e Fjalës është kryesisht përgjegjësia e pastorit, atëherë është e kuptueshme që pastori nga përshkrimi i funksionit të tij është detyrimisht edhe këshilluesi në kishë dhe nuk duhet ta neglizhojë këtë aspekt të detyrës së tij. Në këtë kontekst, pastori gjithashtu duhet të kthejë në kishën ungjillore edhe atë shenjën e tretë dalluese të një kishe të vërtetë, disiplinën kishtarë (dy shenjat e tjera janë predikimi besnik i fjalës dhe administrimi i drejtë i sakramenteve të kishës). Kështu, ndërsa pastori përmbush këto detyra pastorale, ai do të shikojë që kisha e tij do të rritet e forcohet shpirtërisht dhe do të jetë e aftë dhe plot dëshirë për ti shërbyer Perëndisë në çdo aspekt tjetër të jetës si bashkësi dhe si besimtarë individualë.

Siç thamë më lart, ky libër nuk është në vetvete një manual i thjeshtë këshillimi. Por ky është një libër i rëndësishëm për tu lexuar e përvetësuar ngadalë e me kujdes sepse nuk mund të ketë një praktikë të vërtetë, efektive dhe transformuar këshillimi pa një themel solid e biblik të teologjisë biblike. Në këtë libër, Dr. Jay Adams na ka lënë pas një strukturë të mrekullueshme teologjike që bën të mundur një proces dhe praktikë të suksesshme këshillimi biblik. Pra, struktura, shkolla që promovon Jay Adams është një shkollë këshillimi që ka perspektivën e duhur të Perëndisë mbi natyrën e njeriut, e nevojës së tij për të ndryshuar, e urdhrit të Perëndisë për të ndryshuar, dhe e burimeve dhe fuqive e instrumenteve që Perëndia ka siguruar që ne të ndryshojmë. Asnjë këshillues nuk mund dhe nuk duhet të tentojë të këshillojë pa kuptuar e përvetësuar siç duhet këto të vërteta. Ky libër, ““Teologji e Këshillimit të Krishterë” është libri i duhur si pikënisje për trajnimin apo vetë-trajnimin e kujtdo, që për lavdi të Perëndisë dhe bekim të kishës, dëshiron që të jetë një këshilltar biblik. Gjithashtu, ky libër është një lexim i shkëlqyer rifreskues për të gjithë ata që tashmë i kanë përqafuar këto të vërteta.

Përmbledhja nga Albert J. Kona

 

E gjithë përmbajtja eshte e mbrojtur nga ligji mbi të drejtat e autorit.

Search

Back to Top