Ballafaqimi Biblik, një mjet i hirit – Pjesa e dytë
Comments Off 36

Ballafaqimi Biblik, një mjet i hirit – Pjesa e dytë

Blog

Kur përkufizojmë ballafaqimin biblik, ne duhet të pranojmë, mbi të gjitha, që Perëndia është ballafaques—në çdo minutë të çdo dite. Çdo mëngjes dhe mbrëmje, Ai shpall lavdinë dhe drejtësinë e Tij, me anë të krijimit të Tij: prandaj njeriu nuk ka justifikim. (Psalmi 19:1, 50:6, Romakëve 1:19-20) Ka vetëm dy lloj njerëzish në botë. Ata ose i ngjajnë Abelit, ose Kainit; njëri me plot bindje bën atë që është e drejtë, duke fituar bekimin e Perëndisë, si Abeli, – duke marrë kështu gëzimin e përjetshëm, pra, për të njohur dhe për t’u kënaqur me Perëndinë. Tjetri, kokëfortë, armiqësor, rebel, duke përfunduar në një mallkim, si Kaini—i larguar nga prania e Perëndisë, duke grumbulluar për vete gjykim të përjetshëm, deri në vdekje përfundimtare dhe ndarje të plotë nga Perëndia (Zanafilla 4:16; Romakëve 2:4-11). Prandaj, ballafaqimi biblik u bën pritë pasojave të përjetshme të mëkatit dhe paralajmëron për pasojat që do të vijnë: vdekjen, ashtu si edhe shpërblimet e një jete vërtet të bindur ndaj Perëndisë, bashkim me Perëndinë përjetë. Nga një perspektivë e përjetshme ne nxjerrim përfundimin se ballafaqimi është një mision shpëtimi; për ta sjellë dikë tek Perëndia dhe tek njohja e Tij, që është jeta e përjetshme. Për më tepër, ballafaqimi duhet të ndërthuret si pjesë e pandarë e qenieve tona, si një stil jete, Ai nuk duhet të jetë një ngjarje e rastësishme apo e jashtëzakonshme. Ballafaqimi është aty ku dashuria për shërbesën personale banon në kontekstin e të gjitha marrëdhënieve tona. Për shembull, ne jemi të thirrur për të pasqyruar Jezus Krishtin, për të qenë mbajtësit e imazhit të Tij, në një botë në të cilën ekziston pak ose aspak njohje për ekzistencën e Perëndisë, për të zbuluar dashurinë vetëmohuese të Perëndisë. Ne jemi ambasadorët e Tij. Në fakt, nëse ne e kuptojmë ballafaqimin biblik saktë dhe qartë, ai i sjell shërim dhe nder atij që dëgjon, mjerim dhe turp atyre që “nuk pranojnë korrigjimin” (Fjalët e Urta 13:17-18).

Për të na ndihmuar që të kuptojmë se si të bëhemi imitues të Jezus Krishtit në një botë që po vdes dhe ndaj njëri-tjetrit si besimtarë, ne duhet të njohim dhe të pranojmë që ballafaqimi biblik nuk është fakultativ. Ai është ndërthurur në Urdhërimin e Parë dhe të Dytë më të rëndësishëm. Bibla na mëson që nuk ka asnjë terren neutral mbi këtë çështje. Letra e Parë e Gjonit 4:7-21 e përforcon këtë të vërtetë, veçanërisht vargu 20 që thotë: «Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet, të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?». Për më tepër, kur ky lloj ballafaqimi nuk ndodh brenda kishës, ata brenda saj, të cilët supozohet që e njohin Perëndinë, veprojnë në të njëjtën mënyrë si ata jashtë kishës, të cilët nuk e njohin. Në të vërtetë ky fragment shpreh qartë dhe me qetësi jetën e re të cilën e kemi si besimtarë. Nëse ne e njohim Perëndinë, ne do të jetojmë një jetë me dashuri, sepse Perëndia banon në ne: “Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.” Tek e 1 e Gjonit 4:8 kemi urdhërim prej Tij: “Kushdo që do Perëndinë duhet të dojë vëllanë e vet.” Fjalë të fuqishme. Fjalë bindëse. Kaini nuk mendonte se ishte përgjegjës për “vëllanë e vet”, por Perëndia e bëri atë përgjegjës.
Paul Tripp-i përdor vargjet tek Levitiku 19:15-19 për të përcaktuar se çfarë do të thotë kjo.

Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfrin, as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi.
Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd, as do të mbash qëndrim kundër jetës së të afërmit tënd. Unë jam Zoti.
Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.
Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.
Ne nuk mund të mos i marrim parasysh këto urdhërime të drejtpërdrejta të Perëndisë. Ai do që ne të mos jemi vetëm dëgjues të së vërtetës, por të veprojmë me një bindje të përzemërt ndaj së vërtetës; duke imituar Atë në planin e Tij të shpëtimit, përmes dashurisë vetëflijuese. Pa pjesëmarrje vetjake, përmes kohëve të ballafaqimit, një jetë e qëndrueshme dhe e frytshme për Perëndinë nuk mund të jetë realitet.

Pengesat ndaj ballafaqimit biblik

Pa dyshim, do të hasim pengesa për ta bërë ballafaqimin biblik një realitet në përditshmërinë e jetëve tona. Paul Tripp-i shpjegon shkakun kryesor për këtë: ne e duam veten tonë më shumë se të tjerët. Ndonjëherë, ne zgjedhim heshtje egocentrike kur e shohim vëllain ose motrën tonë në vështirësi dhe nuk bëjmë asgjë. Veç kësaj, ne mund të shprehim gjithfarë formash të urrejtjes: më pak të dukshme, pasive dhe aktive (faqet 222-224). Si shfaqen këto? 1. Formë më pak e dukshme urrejtjeje (favorizimi): pra t’i bësh favor dikujt, por që po atë favor t’ua refuzosh të tjerëve për shkak të pamjes fizike, dhuntive, gjendjes shoqërore ose personalitetit, duke refuzuar kështu të tregojmë dashurinë që Perëndia na ka treguar. 2) Formë pasive e urrejtjes (mbajtja mëri): përfshin të mbajturit shënim të atyre gjërave të gabuara që dikush na ka bërë. Me kalimin e kohës zemërimi rritet, duke shtuar përbuzjen, përçmimin dhe neverinë—edhe pse nuk është kryer ndonjë mëkat tjetër. Kjo çon në hidhësi. Ndërsa kjo rritet, bllokon rrugën me anë të së cilës mëkati mund të shkatë­rrohet. Pa dyshim, shumë njerëz përfundojnë këtu. Fyerjet grumbullohen në një nivel në të cilin ndodh një shpërthim i stërmadh i “mëkateve” të kryera—me inat, me ligësi dhe keqdashje. Rezultati përfundimtar e lë personin fyes të dëmtuar, të gjakosur dhe pa frymë. Për më tepër, dhe me shumë keqardhje, pak arrin të zgjidhet në një mjedis kaq armiqësor—më shumë është bërë dëm, marrëdhëniet janë përkeqësuar, ka pasur përçarje dhe uniteti që reflekton imazhin dhe ngjashmërinë me Perëndinë shuhet. Për më tepër, ata që zgjedhin të mos i bëjnë ballë inatit dhe hidhësisë, në mënyrën që Perëndia do, e fusin betejën brenda vetes—ata mbyllen në depresion dhe mbyllin çdo derë të shpresës për të ndryshuar.

Së fundmi, format aktive të urrejtjes (padrejtësi, urrejtje, hakmarrje): a)padrejtësia—lejon anësinë dhe padrejtësinë e pamoralshme të këmbë­ngulë pa pushim, duke mos siguruar vetëpërmbajtjen e domosdoshme, për të mos lejuar dhe për të frenuar përparimin e së keqes. Ajo lejon që lëndimi dhe keqtrajtimi i të tjerëve të shtohet, duke mos vepruar në mbrojtje të atyre që janë të pambrojtur dhe të pafajshëm nga të tjerët; b) thashethemet krijojnë një terren mbarështues, ku mëkati shtohet dhe përshkallëzohet, ku njerëz të cilët nuk janë të përfshirë në një fyerje bëhen pjesë e saj, jo si shpëtimtarë, por si paditës; c) hakmarrja kundërpërgjigjet duke sjellë lëndim dhe cenim ndaj dikujt tjetër, duke e kthyer të keqen me të keqe, në këtë mënyrë duke e dhunuar urdhërimin për të treguar dashurinë, natyrën dhe karakterin e mirë të Perëndisë. Hakmarrja kërkon të shkatërrojë, ndërsa Perëndia kërkon të restaurojë.
Veç këtyre, mënyra të tjera të cilat pengojnë ballafaqimin biblik përfshijnë:

Refuzim për të ballafaquar sipas mënyrës së Perëndisë,
Ne nuk iu kërkojmë njerëzve që të pendohen për mëkatet e tyre, sepse ne nuk i konsiderojmë mëkatet tona ashtu siç janë seriozisht—si një shkelje dhe fyerje ndaj Perëndisë
Ne kemi pikëpamje dhe besime të gabuara, me të cilat ndihemi rehat dhe nuk duam t’i ndryshojmë. Kur jemi në një situatë në të cilën sfidohemi nga e vërteta e Fjalës së Perëndisë, ne rezistojmë përmes shpagimit, duke iu përgjigjur personit me inat; ose tërhiqemi duke ikur, me qëllim që të shmangemi, duke lënë jashtë çdokënd dhe gjithçka, duke e mbajtur inatin dhe zemërimin brenda.

Vënia e ballafaqimit biblik në praktikë

Fatmirësisht, ka diçka që mund të bëjmë për të vendosur ballafaqimin biblik në qendër të jetëve tona në mënyrë të përditshme, ashtu siç Hebrenjve 3:12-13 na mëson.

Ta bëjmë dashurinë, qëllimin tonë (1Timoteut 1:5):
Ndaj Perëndisë (Luka 10:27).
Ndaj të tjerëve (2 Korintasve 13:11).
Të zhvillojmë dhe të praktikojmë komunikim të perëndishëm sipas Efesianëve 4:25-32;
Të përdorim 4 rregullat e komunikimit: “Ji i sinqertë”, “Merru me situatën aktuale”, “Sulmo problemin dhe jo personin” dhe “Vepro, mos kundërvepro”.
Të jemi të përkushtuar ndaj rritjes në shenjtërim përmes fjalës (Gjoni 17:17), duke e lexuar Biblën rregullisht, duke u lutur, duke pasur bashkësi me besimtarët e tjerë, frekuentim të kishës dhe adhurim.
Të praktikojmë dhe të stërvitemi në drejtësi (Efesianëve 4:22-32, Kolosianëve 3:12-17, 2 e Pjetrit 1:3-11).
Të jemi gati—të sigurohemi që motivet janë të pastra dhe janë sipas standardit të Perëndisë (Mateu 7:1-7; Romakëve 8:28-29; Filipianëve 2:3).
Të ruajmë si thesar ato që Perëndia ruan si thesar (Psalmi 51:17; Isaia 57:15).
Të jemi të mësueshëm—të kërkojmë ato që janë lart (Kolosianëve 3:1-3; Mateu 6:19-20).
Të vendosim ta bëjmë ballafaqimin biblik pjesë të jetëve tona të përditshme (Hebrenjve 3:12-13).
Të jemi të guximshëm—duhet kurajë që të shkojmë tek dikush që ka gabuar—“për ta fituar vëllain tonë”. Nëse ai nuk pendohet dhe nuk kthehet nga mëkati i tij, merr hapat dhe personat e duhur për ta ballafaquar me të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, me dashuri, me qëllimin e restaurimit të marrëdhënies së personit me Perëndinë dhe të tjerët (Mateu 7:1-7; Mateu 18:15-20)

Si përfundim

Të kuptuarit e ballafaqimit biblik është thelbësor për rritjen frymërore, si vetjake, ashtu edhe në trupin e Krishtit. Ai është ndërthurur brenda të vërtetave të Shkrimit, duke përforcuar Urdhërimin e Parë dhe të Dytë më të rëndësishëm. Ai është mjeti me anë të të cilit Perëndia siguron të sjellë ndryshim që zgjat në jetët tona. Ai duhet të përvetësohet, përmes bindjes nga dashuria, për të pasqyruar se kush është Perëndia dhe çfarë ka bërë Ai në një botë të rënë, duke i thërritur njerëzit të kthehen tek Krishti dhe kryqi në çdo marrëdhënie. Pa dyshim, ballafaqimi biblik nuk prodhon gjithmonë pendimin dhe ndryshimin e perëndishëm që Perëndia ka ndër mend. Me keqardhje themi se jo të gjithë njerëzit pendohen, megjithatë ata duhen paralajmëruar. Shembulli i Jezusit ilustron dhe na fton që ta imitojmë atë. Dhe Zoti tek Zanafilla 3 dhe 4 bëri të njëjtën gjë, pavarësisht nga rezultatet. Ky është mandati që Zoti jep: “Nëse ju bëni të mirën, vallë nuk do të pranoheni? Dhe nëse ju nuk bëni të mirën, mëkati është strukur tek dera. Fokusi i tij jeni ju, por ju duhet të sundoni mbi të.” Së fundmi, ballafaqimi biblik ka pasoja të përjetshme, duke qarkuar ose vdekjen, ose jetën. Le të vendosim ta ftojmë veten dhe të tjerët të duam, së pari, Perëndinë, dhe, së dyti, të afërmin tonë, siç Shkrimi mëson qartësisht.

Përktheu Rudina Boçe

E gjithë përmbajtja eshte e mbrojtur nga ligji mbi të drejtat e autorit.

Search

Back to Top